Policia e Kosovës ka njoftuar se një veturë e vjedhur në Gjermani është gjetur dhe konfiskuar në Mitrovicë Veri, raporton Fol Drejt.
“Si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar në mes të autoriteteve gjermane dhe Policisë së Kosovës, konkretisht Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), është arritur të lokalizohet në Kosovë, vetura e tipit BMW 320 me targa gjermane, e cila kërkohej nga autoritetet e Gjermanisë, si veturë që dyshohej se është vjedhur në shtetin e Gjermanisë.”, shkruan në raportin e policisë.
Policia njoftoi se automjeti i kërkuar është lokalizuar në veri të vendit, ku njësitet policore të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Veri, falë veprimeve të menjëhershme operativo-hetimore kanë lokalizuar dhe konfiskuar automjetin e kërkuar, i cili ka qenë i parkuar në një lokacion në komunën Mitrovicë Veri.
Lidhur me rastin, janë duke u kryer të gjitha veprimet e mëtejme ligjore dhe hetimore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë dhe të autoriteteve të shtetit gjerman. /FolDrejt/