Rasti ka ndodhur në Nju Meksiko (New Mexico), të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), transmeton Fol Drejt.
Gruaja është filmuar teksa e ka hedhur foshnjën si një leckë në koshin e mbeturinave.
Më pas, punonjësit e pastrimit e hasin atë dhe e lajmërojnë policinë.
Oscar Astorga, 50 vjeç, gjysh i foshnjës, ka deklaruar se djali i tij Stephen 16-vjeç, nuk e dinte se ish e dashura Alexis Avila, 18-vjeçe, ishte shtatzënë derisa lindi javën e kaluar dhe më pas u kap në kamerë duke e hedhur fëmijën në një kontejner mbeturinash prapa një qendre tregtare.
Në një intervistë për “Daily Mail”, Astorga tha se familja dëshiron që ta marrë foshnjën. “Natyrisht që po përpiqemi që ta marrim. Ai është nipi im. Prandaj nuk mund të komentoj për asgjë, sepse po mundohemi që ta marrim nipin tim”, tha ai.
Në bazë të mesazheve mes të riut dhe një miku, babai i foshnjës besonte se ish e dashura ka pasur abort dhe nuk ishte në dijeni se do të bëhej prind derisa ajo u arrestua për hedhjen e foshnjës në mbeturina.
Nëna e arrestuar i ka thënë policisë se nuk e dinte që është shtatzënë dhe e mori vesh këtë vetëm kur filloi të kishte dhimbje në bark. Ajo është akuzuar për tentim-vrasje dhe abuzim të fëmijës dhe pritet të paraqitet në një gjykatë në Lovington të mërkurën.
Punonjësit e mbeturinave kujtuan fillimisht se po bëhej fjalë për një mace, kur i dëgjuan të qarat./FolDrejt/