Aksidenti ka ndodhur në Autostradën e Re Kombëtare të Greqisë, përkatësisht në kilometrin e 62 -të të autostradës Selanik – Neo Petritsiou, transmeton Fol Drejt.
Sipas mediave vendore, aksidenti ka ndodhur rreth orës 11:30 të mbrëmjes së djeshme.
Një makinë patrulle me shoferin polic 42-vjeçar dhe pasagjerë dy kolegë të tij (44 dhe 36 vjeç) është përplasur me një tufë derrash të egër.
Në aksident është përfshirë edhe një shtetas i Maqedonisë së Veriut i cili në veturë kishte edhe një pasagjere 50-vjeçare.
Vetura e tretë, sipas raportimeve, është e një vendasi (53 vjeçar), që kishte pasagjer një 48 vjeçar. Këta kanë goditur veturën e policisë dhe për pasojë kanë humbur jetën.
Të plagosur janë pasagjerja 50-vjeçare e mjetit të dytë dhe tre efektivët e policisë, të cilët po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm të Kilkisit. Sektori i Qarkullimit në Kilkis po kryen hetimet paraprake për shkaqet e aksidentit.
Derrat e egër, sipas mediave greke, frekuentojnë shpesh në ato anë, duke qenë se arat përreth janë të mbjella me misër. Numri i tyre thuhet se është në rritje e sipër, ndërsa aksidenti në fjalë ka ngritur shqetësime tek qytetarët dhe autoritetet./FolDrejt/