Konferenca e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), e cila përfundoi par pak orësh, u ndërpre për një moment nga disa aktivistë, të cilët fishkëllenin dhe nuk ia lejuan mbarëvajtjen konferencës, ashtu siç ishte planifikuar, shkruan Fol Drejt.
Ndërsa këshilli ishte duke folur për rastin e 11 vjeçares, aktivistët konsideruan se pikërisht për këtë rast, ky këshill, sikurse sistemi i drejtësisë në tërësi, ka dështuar.
“Konferenca nuk ka asnjë lloj qëllimi derisa Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk kërkon falje dhe nuk na garanton që ka me marrë masa ndaj gjyqtarëve që në shumicën e rasteve, raportet po tregojnë që kanë dhënë dënime nën atë që e lejon ligji. Këta duhet të arrestohen, ja ku i keni njerëzit që duhet të arrestohen, ndaj tyre merrni masa, jo ndaj neve, nuk mundeni me vazhdu me ua mbajtë anën attyre që janë bashkëfajtorë në secilin krim që u ndodh grave”, u tha nga aktivistët.