Në deklarimet jashtë rendit të ditës, deputetët opozitarë, në fillim të seancës së sotme parlamentare, shprehën shqetësimin pas përshkallëzimit të situatës në veri të vendit. Ata dënuan agresionin e Serbisë, i dëshmuar me rastin e rrëmbimit të tre policëve në veri të vendit dhe kërkuan nga Qeveria e Republikës së Kosovës, t’i ndërmarr hapat e nevojshëm, për t’i rikthyer të rrëmbyerit në vendin e tyre, shkruan Fol Drejt.
“Në këtë situatë jonormale, nuk mund të aktrojmë normalitetin! Përgjigjja ndaj agresionit të Serbisë kundër Republikës sonë dhe përkushtimi për kthimin e menjëhershëm në Kosovë të tre policëve të rrëmbyer – duhet të jenë prioritet mbi prioritete, për të gjithë” – tha Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
Ai ftoi kryeministrin “që të vijë në seancë sot, që të raportojë për veprimet që është duke ndërmarrë për kthimin e tre policëve tanë dhe për situatën e sigurisë në pjesën veriore të shtetit tonë.”
Të njëjtën gjë e kërko edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës – Arben Gashi. Veç tjerash, ai ka kërkuar edhe raportim edhe çështje tjera:
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, duhet t’i raportojë kuvendit, se cilat janë raportet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës, me partnerët ndërkombëtar, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Ai tha më tej se parlamenti ka nevojë për informim, për situatën në veri si dhe për raportet me bashkësinë ndërkombëtare.
Edhe Gashi kërkoi që kryeministri të vijë e të raportojë në parlament.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kërkuar unitet të spektrit politik në vend.
“Andaj nga faktori ndërkombëtar kërkojmë…, në veçanti nga ShBA-të, që urgjentisht të bëjë presion e duhur ndaj një shteti i cili nuk e fsheh qëllimin armiqësor ndaj Kosovës, që t’i liroj policët e kidnapuar” – ka thënë Tahiri.
Ai e ka kritikuar kryeministrin për përkeqësim të raportet me ndërkombëtarët. Ai po ashtu ka kërkuar që Kryeministri të vjen e të raportojë në kuvend./FolDrejt/