Dje Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar Oliver Ivanoviqin në pesë vjetorin e vrasjes së tij, me ç’rast ka shpërthyer një valë reagimesh e kritikash në opinionin publik në Kosovë, duke ia kujtuar të parit të qeverisë, se ai po e “vajtonte” ishte shefin e “Rojave të Urës”, shkruan Fol Drejt.
“Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij” – duke shtuar se:
“Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike.”
Kjo deklaratë e Kryeministrit Kurti ka nxitur reagimin e shumë qytetarëve, të cilët nuk kanë hezituar që t’ia kujtojnë atij se ai ishte i dyshuar edhe për vrasje të shqiptarëve pas luftës në Kosovë.
Por dikur, lëvizja politike të cilën ai e themeloi, e cilësonte Ivanoviqin si kriminel që ka shkelur Konventën e Gjenevës, përgjegjës për disa krime të kryera në Kosovën e pasluftës:
“Oliver Ivanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dhe pas përfundimit zyrtar të luftës në Kosovë janë angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë – kolonizimi i Kosovës dhe spastrimi i tij. Oliver Ivanoviqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë asgjë më pak se sa konkretja e doktrinës së Ilia Grashaninit – vrit dhe dëbo.
Shpallja e aktgjykimit ndaj Oliver Ivanoviqit shpërfaq edhe njëherë padrejtësinë ndërkombëtare. Me 9 vite burgim ndaj krimeve të kryera nga Ivanoviqit dhe shokët e tij është pasqyra më e mirë e (pa)drejtësisë e cila është duke e gjykuar popullin shqiptar për më tepër se një shekull. Të shqiptosh dënimin me burgim prej një kohëzgjatje prej 9 vitesh për krime të tilla, është treguesi më i mirë se sa është i gatshëm EULEX-i me komponent të tij ta mbrojë drejtësinë që ka karakter ndërkombëtar. Veprat për të cilat është gjykuar Oliver Ivanoviqi përbëjnë veprat penale të nivelit ndërkombëtar, e që konsiderohen si vlera të mbrojtura në të mirë të mbarë njerëzimit.
Veprimet e grupit të Ivanoviqit nuk dhunuan vetëm vlerat e mbrojtura me ligjet vendore. Ata dhunuan vlerat e mbrojtura me katër konventat e Gjenevës dhe aktet e tjera që sanksionojnë veprimet të tilla si krime ndërkombëtare. Shqiptimi i një dënimi të tillë e tregon më së miri gatishmërinë që sunduesit e ligjit sa janë të gatshëm të mbrojnë postulatet më vlefshme dhe të mbrojtura në nivel ndërkombëtar.
Me dhjetëra dëshmitarë e prova materiale, gjyqtarëve të trupit gjykues nuk iu mjaftuan që të tregojnë barrën e vërtetë të Oliver Ivanoviqit i cili me veprimet e tij konkrete dhe me urdhrat e dhënë ka shkaktuar vrasjen 41 shqiptarëve, lëndimin e qindra të tjerëve dhe dëbimin e më shumë se 12 mijë qytetarëve shqiptarë. Ky trup gjykues e tregon standardin e shumëfishtë, ku për pjesëtarët e UÇK-së i mjaftojnë dëshmitë njëburimore, ndërkaq për gjykimin e kriminelëve të kalibrit të Oliver Ivanoviqit mjaftohen me shqiptimin e një dënimi i cili në vete paraqet poshtërimin më të ultë ndaj të gjitha viktimave që kanë pësuar nga veprimet e grupit të Ivanoviqit” thuhej dikur në një komunikatë të lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje!, pas dënimit të shqiptuar ndaj Oliver Ivanoviqit për krime lufte nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, në vitin 2016.
Por e njëjta komunikatë ka kohë që është fshirë nga uebi zyrtar i Vetëvendosjes.
Përndryshe Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi janë vrarë në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriorë të Mitrovicës. Përgjegjës për vrasjen e tyre kanë qenë ‘Rojat e Urës’, të udhëhequra nga ish-shefi i atëhershëm i këtij grupi Oliver Ivanoviq.
Përse Kurti po “e vajton” Ivanoviqin?
Rada Trajkoviq, e emëruar si këshilltare politike në kabinetin e ministrit Nenad Rashiq, e ka akuzuar pothuajse direkt presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Në një intervistë për opozitaren serbe Danas, ajo pat thënë se, barrikatat e vendosura fundvitin që shkoi në veri të Mitrovicës, kanë pasur për qëllim “mbrojtjen e vrasësve të Ivanoviqit dhe strukturat kriminale që veprojnë atje!”
Trajkoviq për më tepër, pat thënë se pas vrasjes së Ivanoviqit, në listë ka qenë ajo. Kur Nenad Rashiq u zgjodh ministër në kabinetin e Kurtit, nga presidenti Vuçiq pati një reagim, ndërsa Trajkoviqin dhe Rashiqin i quajti fundërrina të Kurtit.
Trajkoviq ndërlidhjen e vrasjes së Ivanoviqit me Vuçiqin, e sheh tek lista Serbe, përkatësisht personat që e kontrollojnë këtë subjekt politik serb. Sipas saj Milan Radojciq dhe Zvonko Veselinoviq, që besohet se janë kryemafiozët e nëntokës së Mitrovicës Veriore, janë të përkëdhelurit e Vuçiqit. Ky i fundit kurrë nuk ka ngurruar ta përkrahë hapur Listën Serbe, e cila në prapaskenë udhëhiqet nga Radojciq dhe Veselinoviq.
Megjithatë, vrasjen e Ivanoviqit e ka shfrytëzuar politikisht edhe Vuçiq. Në vend që t’iu përgjigjej akuzave, ai ka thënë se përgjegjësit për kryerjen e ekzekutimit të politikanit serb, po i kërkon edhe ai.
“Tashmë pesë vjet nuk ka asnjë të vërtetë apo drejtësi në rastin e këtij akti të neveritshëm dhe çnjerëzor. Serbia nuk ka harruar dhe nuk do të heqë dorë nga kërkesa që kriminelët e vërtetë të dalin para drejtësisë. Pusho në paqe”, ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në Instagram, me rastin e pesë vjetorit të vrasjes së Ivanoviqit.
Së fundi duket që vrasjen e Ivanoviqit dëshiron ta kapitalizojë edhe Kryeministri Kurti. Në këtë “mesele” akuzash, ai është rreshtuar me serbët si Trajkoviq, të cilët e shohin Vuçiqin si përgjegjësin kryesor për vrasjen e Ivanoviqit. Por a është duke luajtur mençur këtë lojë?
Dikur ai akuzonte direkt Ivanoviqin për involvimin e tij në krimet e kryera në Mitrovicën e pasluftës. Deklaratat e tij janë aq eksplicite në lidhje me këto pretendime, sa që nuk duan koment.
Megjithatë, synimi i tij duket të jetë shkëputja e serbëve të Kosovës nga ndikimi i Vuçiqit, por pa takt…/FolDrejt/