Kompania për menaxhimin e mbeturinave “Pastrimi” ka nisur deponimin e mbeturinave nga ora 10:00 e mëngjesit të sotëm.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Burim Kelmendi.
“Jemi duke operuar në gjashtë komunat me kapacitete të plota”, ka thënë Kelmendi.
Kjo vjen disa ditë pasi kësaj kompanie nuk u lejua t’i zbarsë kamionët me bërllok në deponinë në Mirash, pa u marrë vendim nga gjashtë komunat, të cilave kompania ua largon mbeturinat, që të rrisin çmimin e faturës nga 4.7 në 6 euro në muaj, për shkak të rritjes së çmimit të naftës, hekurit e pjesëve të kamionëve që e ka vështirë t’i mbulojë.
“Pastrimit” ia mbylli dyert kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes për menaxhimin e deponive, Avdullah Haxhiu, nën arsyetimin se KRM “Pastrimi” i ka afër 400 mijë euro borxh dhe pa i paguar ato s’do të mund të zbrazin kamionët të hënën, të martën e të mërkurën nga dy orë e më pas do të mbyllet krejt deponia për “Pastrimin” nëse nuk paguan borxhin. Por pavarësisht që deponia ia hapi dyert të hënën në mesditë, kryeshefi i “Patrimit” mori vendim që mos të zbrazen kamionët fare pa u rritur çmimi i faturës së mbeturinave, çka do të bëjë që kontejnerët në Prishtinë, Podujevë, Lipjan, Obiliq, Drenas e Fushë Kosovë mos të zbrazen nga bërlloku.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka kërkuar falje për stërmbushjen e kryeqyteti me mbeturina, duke theksuar problemin e mësipërm.
“Kërkojmë falje për këtë gjendje! Kompania për menaxhimin e deponive nuk po e lejon Kompaninë ‘Pastrimi’ të bëj zbrazjen e mbeturinave, për shkak të borxhit që kjo e fundit i ka të parës! Jemi duke e zhbllokuar këtë situatë, në mënyrë që të vazhdojmë me grumbullim të mbeturinave”, ka shkruar ai në Twitter.
Më poshtë mund të ndiqni kronikën e realizuar nga Arbëresha Fazliu, të hënën e cila tregon në detaje problemet që kishin këto dy kompani./Klankosova.tv/