Myftiu i qytetit të Shkodrës, Muhamed Ef. Sytari ka filluar një seri të ligjëratave të parimeve të Islamit.
Këtë e bën të ditur qysh në fillim të ligjëratës së tij të dytë të kësaj serie ku thotë se:
“Nga java e kaluar nisëm të hedhim dritë mbi disa parime të Islamit dhe do të vazhdojmë sot këtu në të njëjtën linjë për të shpjeguar për vëllezërit, por edhe ata që na ndjekin përmes rrjeteve sociale, e sidomos për Mustafa Nanon me shokë që injorojnë Islamin. Kjo jo për t’i përmendur emrin atij sepse ju e dini se une nuk flas emra të përveçëm, por për të mësuar ai dhe shokët e tij që flasin përçart për Islamin dhe Shkodrën në veçanti”.
Hoxhë Sytari Islamin e krahasoi me diellin i cili është burim drite për secilin. Ai tha se nëse dikush mbulon sytë e tij përballë diellit dhe thotë se dielli s’bën dritë, është problemi tek ai e jo tek dielli.
“Islami është si dielli i cili nuk ndryshon, i cili sjell rreze e është burim i dritës. Nëse dikush ka vendos syze të errëta dhe e pengon depërtimin e dritës dhe thotë se këtu është vetëm errësirë e pastaj thotë se dielli është errësirë, ai është problem i tij e jo i diellit. Kështu është edhe Islami”, shtoi hoxhë Sytari.
Këshilla e hoxhës është që mos të flasim për gjëra mbi të cilat nuk kemi njohuri pasi kjo ndër të tjera është edhe parim i Islamit dhe fjalë e Zotit në Kuran, ku Ai thotë: Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri. (El – Israë, 36)