Kryeministri i Republikë së Kosovës Albin Kurti, mbrëmë ka bërë të ditur se sot do të niset për në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, shkruan Fol Drejt.
Sipas tij, gjatë kësaj vizite ai mund të realizojë një takim trilateral me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë” – ka thënë ai.