Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar të gjithë shqiptarët që jetojnë në Serbi, e në veçanti ata të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë që nis nga sot e zgjat deri më 31 tetor.
I pari i qeverisë tha se shqiptarët që jetojnë në Serbi, në vazhdimësi përballen me diskriminim kombëtar, njerëzor e së fundi edhe me pasivizim të adresave të tyre.
“Prandaj, regjistrimi i cili fillon sot e përfundon më 31 tetor, për shqiptarët nuk është vetëm çështje statistike. Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim”.
“T’i përgjigjeni pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar. Edhe ata që gjenden me banim të përkohshëm në diasporë dhe Kosovë. Të dëshmoni me vendosmëri që jeni aty”, është shprehur Kurti përmes një video-mesazhi, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai sërish vuri në vëmendje atë që po e thotë tash e disa herë se Serbia s’është shtet demokratik, duke thënë se në rrethana normale dhe në vende me demokraci të zhvilluar, procesi i regjistrimit të popullsisë trajtohet si diçka e natyrshme.