Goran Rakiq ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar, që sipas tij, padrejtësisht u janë vënë prangat, shkruan Fol Drejt.
Ndërsa i ka shfrytëzuar rrjetet sociale, i pari i Listë Serbe ka adresuar një kërkesë në adresë të qeverisë, duke thënë se policia të tërhiqet nga veriu dhe mos t’i “maltretojë fëmijët tanë!”
Arrestimi i një ish-polici serb të shtunën u bë edhe shkas i barrikadave që ngritën disa qytetarë serbë në pjesën veriore të Kosovës.
“Ne kërkojmë që qytetarët tanë të arrestuar padrejtësisht, të lirohen, dhe që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti t’i tërheqë njësitet që i dërgoi në veri, të ndalojë keqtrajtimin e fëmijëve tanë dhe të ndalojë ndjekjen e serbëve” – tha ai.
Ua kujtojmë që ai dhe anëtarët e subjektit të tij, janë deklaruar me dhjetëra herë se nuk i njohin institucionet e vendit, duke i cilësuar ato si “të përkohshme!”
Kriza e fundit politike, veç tjerash, u shkaktua edhe nga braktisja e institucioneve nga vetë politikanët e Listës Serbe, të cilët sipas Prishtinës zyrtare po marrin “instrukcione” nga vetë Vuçiqi./FolDrejt/