Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, lidhur me akuzën për mosraportim të pasurisë, për shkak se e njëjta nuk kishte të angazhuar avokatë.
Gjykatësi Adnan Kamberi njoftoi të akuzuarën se për shkak të denueshmërisë së veprës duhet që e njëjta të angazhoi avokat personalisht, ose në të kundërtën mund t’i caktoj avokat edhe gjykata sipas detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë e akuzuara Gërvalla deklaroi se për shqyrtimi e radhës do të angazhoj me autorizim një avokat.
“Nuk kam avokat dhe do të angazhoj avokat me autorizim”, tha Gërvalla.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore gjykatësi Kamberi nxori aktvendim me të cilin shtyu seancën e sotme, ndërsa lidhur me seancën e radhës tha se palët në procedurë do t’i njoftojë përmes ftesës.
Prezent në seancë ishte prokurorja e shteti Luljeta Bilalli si dhe përfaqësuesja nga Agjencisë Kundër Korrupsionit, Lendita Ademi.
Në lidhje me përmbajtën e aktakuzës e njëjta nuk ishte e qasshme pasi që seanca e shqyrtimit fillestar ka dështuar dhe për këtë “Betimi për Drejtësi” ka dërguar edhe kërkese për qasje në dokumente zyrtare pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë që e njëjtat të jetë e qasshme edhe për publikun.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj të këtij viti ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.
Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.
“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.
Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.
Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.
Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj./BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.