Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” të shtunën qëndroi në Gjilan. Në teatrin e qytetit ku u mblodhën dhjetëra gra e burra, ajo tha se po punojnë që ta minimizojnë dhunën, por po u mungon përkrahja e dikujt.
“Në vend që ne ti kishim krah institucionet e drejtësisë në këtë fushatë, ata na kanë bojkotuar për shkak se ne e kemi shfuqizuar një vendim që ka qenë i paligjshëm, për uljen e pagave” deklaroi Haxhiu.
Megjithatë në mbledhi nuk duhej të mungonin mësimdhënëset e shkollës fillore “Nazmi Hoxha”. Sipas mesazhit që drejtoresha u kishte dërguar, e që u shpërnda në media, ato obligoheshin të ishin pjesë e takimit.
Drejtoresha, Dashurije Leka Shaqiri, tha se vetëm e ka bartë informacionin siç ka qenë e shkruar nga DKA-ja. E Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjilanit, Albana Demiri, i tha Klanit se e ka parë të arsyeshme që të rekomandojnë pjesëmarrjen përshkak të temës që ka qenë me karakter vetëdijësues dhe jo politik.
Bashkëbisedimi me ministren vazhdoi për rreth 1 orë, e destinacioni i radhës ishte panairi i grave në sheshin e qytetit, ku njoh me punën e prodhueseve nga rajoni. /KlanKosova/