Tensionet ndërmjet Policisë së Kosovës (PK), dhe protestuesve pranë objekteve të komunave në veri të Kosovës, kanë rezultuar me disa dëme materiale, shkruan Fol Drejt.
Ndonëse deri më tani nuk është bërë bilanci i këtyre “fërkimeve”, pamje të veturave të policisë me xhama të dëmtuar dhe njërës që i dilte tymi, kanë pushtuar rrjetet sociale.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë hyrë në ndërtesën e Komunës së Zveçanit, pas hedhjes së gazit lotsjellës” – ka shkruar Radio Televizioni i Serbisë (RTS), duke shtuar se “në rrugë ka një sasi të madhe tymi nga gazi lotsjellës dhe bombave shokuese.”
Madje këtë moment mediat serbe e kanë cilësuar si “përleshje”, megjithëse në videon që e ilustron momentin, nuk shquhet aq qartë.
“Përleshja nisi kur policia u bëri thirrje qytetarëve që të largoheshin nga godina, gjë që ata refuzuan. Janë hedhur disa bomba shokuese dhe gaz lotsjellës, tha për N1 Ana Marija Ivkoviq nga radio Kontakt plus” – ka raportuar N1info.
Mjetet e blinduara dhe njësitë speciale të policisë ndodhen para ndërtesës së komunës./FolDrejt/