Banorët e Dugavës së Zagrebit janë tronditur prej një përleshjeje masive që ka ndodhur ndërmjet disa azilkërkuesve, shkruan Fol Drejt.
Pak më shumë se një duzinë të rinj dhe të moshës së mesme, janë përplasur fizikisht në rrugën “Jakusevecka”. Disa prej tyre kanë përdorur gurë, shkopinj dhe mjete të tjera të forta, duke shqetësuar banorët e Dugavës në Zagrebin e ri të mërkurën në mbrëmje. Një pjesë e pjesëmarrësve në konflikt kanë përfunduar në spital për mjekim të plagëve të marra, e shumica në stacionin policor.
Policia e Zagrebit thotë se të mërkurën rreth orës 20:05 kanë marrë një njoftim për një përleshje, dhe me të mbërritur në vendngjarje kanë gjetur disa shtetas të huaj, aplikues për mbrojtje ndërkombëtare në Republikën e Kroacisë, për të cilët kanë konstatuar se janë përleshur me njëri-tjetrin. Përveç zhurmës dhe sharjeve, ata kanë përdorur shkopinj prej druri dhe gurë”. Tre prej tyre, sipas policisë, kanë përfunduar me lëndime të rënda, për çka po mjekohen në spitalin e qytetit./FolDrejt/