Lëvizjes Vetëvendosje iu deshën vetëm pak vite në pushtet, të pranojë idenë për “Asociacionin e komunave me shumicë serbe”. Javë më parë një deklaratë e Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, paralajmëroi ndërrimin e madh të pozicionit të partisë në pushtet, në lidhje me këtë çështje: nga një kundërshtare e ashpër, në një pranuese të saj.
Nga Imer Topanica – Fol Drejt
«Duket se është plotësisht në pajtim me kushtetutën» – tha kryekuvendari. E idenë se “krijesa politike” e propozuar nëpërmjet një draft statusi, nuk e rrezikon qenësinë e Kosovës, e mbrojti edhe i pari i ekzekutivit Albin Kurti, gjatë një debati “të nxehtë” parlamentar në fillim të këtij muaji.
«E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimetuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015», tha kryeministri, duke shtuar se drafti i propozuar «ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial».
ÇFARË THA OPOZITA?
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi para gazetarëve tha se është e nevojshme të shihet teksti në tërësinë e tij, duke mos i shmangur as detajet, se «siç thotë një shprehje ‘dreqi fshihet në detaje”.
Sipas tij, është e rëndësishme që Asociacioni «nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit tonë dhe nuk do ta transformojë Kosovën nga idealet e themeluesve të saj».
Ai nuk shfaqi kundërshti, por rezerva në hapat e mëtejmë politik, duke kërkuar më shumë transparencë për procesin.
Ndryshe nga kreu i PDK-së, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradianj, ka thënë se propozimi nuk bie ndesh me normat kushtetuese, duke mos e rrezikuar statusin dhe përgjithësisht qenësinë e shtetit. I ftuar së fundmi në një emision televiziv, ai iu referuar disa niveleve të draftit, duke e dëshmuar edhe një herë pajtueshmërinë me kushtetutën:
«Në dokument janë dhënë shumë mundësi dhe shumë lehtësi në qeverisje, në jetën qeverisëse të nivelit komunal, ato që veç i kanë komunat, por edhe një kooperim mes komunave, pra Asociacioni, janë dhënë po ashtu të drejta, ose përgjegjësi në shëndetësi, në edukim, me përkrahje të Serbisë siç ndodhë edhe sot, por me një dallim se do të jetë validitimi i tyre i dyanshëm ta zëmë e diplomave, ndërsa në të gjitha këto situate të parapara që Asociacioni i ka si rasti i asamblesë, kryetarit, nënkryetarit, bordet, administratën, financimin, për të gjitha i referohet pra në bazë të kushtetutës, ligjeve të Kosovës edhe atyre neneve që Kushtetuta jonë thirret në konventat ndërkombëtare për obligimet, ose të drejtat që ua njeh komuniteteve».
Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha se «dje ka qenë vonë», në kuptimin e zvarritjes së procesit. Sipas tij, qeveria nuk duhet të humbas shumë kohë tash e tutje.
ÇFARË PËRMBAN DRAFT-STATUTI?
Ndonëse versioni përfundimtar i këtij drafti, ende nuk është publikuar, shumë pika të mëhershme të diskutuara e të kontestuara nga pala kosovare, duket që kanë marr karakter tjetër, në favor të Kosovës, në versionin e fundit. Këtë po e përdor si argument edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje!
Fjala vjen, Neni 7 pika 1 thotë se Asociacioni e kryen aktivitetin e vet duke u bazuar në Kushtetutën dhe në ligjet e zbatueshme. Në pikën 2 thuhet se trupat e Asociacionit do t’i respektojnë plotësisht të dyja gjuhët zyrtare, serbishten dhe shqipen, ndërsa në pikën 3 thuhet se Asociacioni do të jetë i liruar nga detyrimet dhe taksat mbi bazën e njëjtë si komunat pjesëmarrëse.
Në nenin 28 të statutit flitet për trupat e Asociacionit i cili do të ketë Kuvend të Asociacionit, President, Nënpresident, Këshilli, Bord, Zyrë të Apelit dhe e Ankesave e Asociacionit/Bashkësisë. Në nenet në vijim përshkruhen në detaje kompetencat e secilit trup.
Në nenin 17 ku theksohen detyrat e deleguara -autorizimet e posaçme thuhet se Asociacioni do të veprojë si një një Agjenci e Specializuar nën kompetencat e Zyrës së Kryeministrit.
Në nenin 18 thuhet se Asociacioni do të themelojë një trup të përbashkët që do të ketë do të ketë katër departamente
- Departamenti për Zhvillim Ekonomik.
- Departamenti për Arsim.
- Departamenti për Shërbime të Kujdesit Shëndetësor.
- Departamenti për Planifikim Urban dhe Rural.
Asociacioni do ta ketë buxhetin e vet, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies, dhe dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik.
CILAT SEGMENTE DO TA LIDHIN ASOCIACIONIN, ME INSTITUCIONET E NIVELIT QENDROR?
Në pikën 1 thuhet se Asociacioni do të angazhohet me autoritetet qendrore të Kosovës duke u mbështetur në bashkëpunimin e përbashkët dhe në ndarjen e të dhënave në frymën e promovimit të demokracisë dhe multietnicitetit dhe në vijë me sistemin ligjor të Kosovës.
Sipas nenit 26, pika 1 «Me anë të Nenit 79 të Kushtetutës, Asociacioni nuk është palë e autorizuar për të propozuar drejtpërdrejt legjislacion të ri.»
«Megjithatë, në mirëbesim, Zyra e Kryeministrit do të punojë me Asociacionin për t’i akomoduar interesat e nismave të tilla» thuhet ndër të tjera në këtë nen.
Neni 25 flet për raportin e Asociacionit me Policinë e Kosovës. Pika 1 e këtij thotë se Komandanti i policisë në Veri zgjidhet nga propozimet e kryetarëve të katër komunave.
«1. Komandanti i Komandës Rajonale të Policisë së Kosovës që i mbulon katër komunat veriore (Severna Mitrovica/Mitrovicë e Veriut, Zvecan/Zveçan, Leposavic/Leposaviq dhe Zubin Potok) përzgjidhet nga një listë e nominimeve të paraqitur nga Asociacioni.
- Kryetarët e këtyre komunave e hartojnë listën e nominimeve.»
Neni 39 i draft statutit përshkruan fushëvperimin e Kryeministrit në raport me Asociacionin.
Në pikën 2 thuhet «Për ta siguruar pajtueshmërinë me Kushtetutën, ky Statut dhe ligjet e zbatueshme përkatëse, të gjitha Rregulloret e Posaçme dhe Vendimet Zbatuese do të kalojnë nëpër një shqyrtim administrativ nga Zyra e Kryeministrit. Procesi i shqyrtimit administrativ ndodh brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve kalendarike pas dorëzimit të të dhënave nga Asociacioni. Vetëm pas një shqyrtimi pozitiv, këto vendime mund të zbatohen».
Tutje theksohet se në rast të kontesteve mes dy palëve fjalën e fundit do të thotë Gjykata Kushtetuese.
Sipas statutit, komunat (me shumicë serbe) që duan të bëhen anëtare themeluese të Asociacionit, jo më vonë se 7 ditë e njoftojnë me shkrim Kryeministrin e Kosovës për këtë qëllim.
Sipas nenit 6 pika 2, «Asociacioni është një Entitet i Posaçëm Ligjor i së Drejtës Publike, i themeluar me anë të Lex Specialis», «Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve që e Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve».
Asociacionit ka të drejtë të paditë dhe të paditet, ka të drejtë të ketë në pronësi prona të luajtshme dhe të paluajtshme, të ketë në bashkëpronësi entitete që ofrojnë shërbime lokale brenda fushëveprimit të Asociacionit, të bëjë kontrata, përfshirë kontratat e punësimit dhe të drejta të tjera.
Ashtu edhe siç është raportuar edhe më herët, Neni 10 konfirmon të drejtën e Asociacionit t’i ketë simbolet e veta zyrtare, përfshirë një stemë dhe një flamur në përputhje me ligjet e zbatueshme, të cilat do të pasqyrojnë gjithë përfshirjen dhe respektin e komuniteteve etnike, fetare etj.
RINGJALLJA E ZAJEDNICËS!
Fjalimet plot pasion e patos të Albin Kurtit, atëbotë lider i Lëvizjes Vetëvendosje!, njërit prej entiteteve më të fuqishme opozitare dikur, notojnë ende nëpër rrjetet sociale. Konvertimi i nocionit “Zajedincë” në Asociacion, më saktë, qëkur sheshet buçisnin nga protesta të dhunshme, e deri më sot, ka zgjatur më shumë se sa një dekadë.
Videoja e protestës së 10 shkurtit të 2007-tës e konfirmon më së miri këtë pozicionim. Ua kujtojmë që në këtë protestë patën humbur jetën edhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Mon Balaj dhe Arben Xheladini:
Për do kohë Lëvizja Vetëvendosje!, e pat shpallur të vdekur Zajednicën, për do kohë, por duket se tash bëhet fjalë për një ringjallje.
«Lëvizja VETËVENDOSJE! e pat lexuar saktë planin e Serbisë për bosnjëzimin e Kosovës. Është klubi i vjetër politik që më 2013 dhe 2015 deshën ta realizojnë këtë plan. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që “Zajednica” e shkelte Kushtetutën në plotë 23 pika, presidenti doli te plani për shkëmbim territorial që prapë është ndarje e vendit. Kurse kllapa tjetër me një kryeministër të paligjshëm mbeti te “Zajednica” me deklarata që këtë kohë e shtynë edhe përfaqësuesin e BE-së për dialog të thotë se kushtetuta nuk është Bibël. Ky klub i vjetër dhe i marrë fund është për ndarjen e vendit në mënyrë që ta ndajë dhe mbajë pushtetin. Duhen zgjedhje të lira e demokratike, në mënyrë që vendit t’i kthehet një qeveri legjitime që i shpallë përfundimisht të vdekura këto projekte» – thuhet në tekstin që e shoqëron videon e mësipërme.
Krejt vonë, edhe pas marrjes së pushtetit në Qeverinë Kurti II, Vetëvendosje filloi të ndryshonte pozicion. Fillimisht, u konvertua dhe rehabilitua nocioni nga serbisht në shqip, e më pas u vendosën kushte. Ndër to se, nuk do të pranohet Asociacioni pa njohe reciproke, e më pas, nuk do t’i pranohen kompetencat ekzekutive të tij.
Shumë njohës të zhvillimeve në vend konsiderojnë se marrëveshja e 2013-tës, nuk ka mundur të shmangej, ndërsa prej gjithë kësaj sage, ky është versioni më i mirë i arritur përgjatë një procesi të vështirë negociator.
Një pjesë që ka besuar në kauzën e drejtë të Lëvizjes Vetëvendosje!, po ndihen të tradhtuar. Ndërsa disa konsiderojnë se ka ardhur koha që kjo barrë e rëndë t’i hiqet qafe republikës, në mënyrë që qeveritarët t’iu kthehen problemeve të vërteta me të cilat ballafaqohen qytetarët./FolDrejt/