Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka bërë të ditur se ua ka propozuar partive politike që më datë 18 dhjetor të mbahen zgjedhjet për katër komunat në veri të Kosovës.
Sipas saj, ky është edhe afati i fundit kur mund të mbahen zgjedhjet sipas ligjeve që janë në fuqi, njofton Klan Kosova.
Ajo ka thënë se ekziston edhe datë 11 dhjetor, por që kjo do t’u jepte më pak hapësirë kohore partive politike si dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’u përgatitur.
“Siç e dini pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave në veri, është detyrim i presidentes që të bëj shpalljen e zgjedhjeve. Është edhe detyrimi për konsultim me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve”.
“Partitë politike u ftuan sot që të diskutojmë për çështjen e datës. Pra data e fundit për mbajtjen e zgjedhjeve është 18 dhjetori”.
“Ne kemi diskutuar me partitë politike rreth përgatitjeve që duhet t’i bëjë KQZ, në të njëjtën kohë unë do t’u drejtoj kërkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorim”.
“Nga të gjitha partitë që ishin të pranishme, kërkova vendim rreth datës 18 dhjetor. Ne sapo t’i përfundojmë këto deklarime, do të ulemi edhe një herë me ekipin ligjor. Opsion tjetër është data 11 dhjetor, por sipas të gjitha gjasave, do të shkojmë me datën 18”.
klankosova.tv