Rada Trajkoviq, politikane serbe në Kosovë, në diskutimin e djeshëm për planin evropian për Kosovën, ka tërhequr një paralele duke e parë si të ngjashme situatën e serbëve të Kosovës sot me situatën e shqiptarëve në kohën e ish-udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviq, transmeton Fol Drejt.
Në fjalimin e saj gjatë këtij diskutimi, Trajkoviq ka thënë se po kthehen prapa, duke aluduar në gjendjen e serbëve në pjesën veriore të Kosovës dhe mbetjen e tyre jashtë institucioneve të vendit.
Sipas Trajkoviqit, derisa në kohën e Millosheviqit serbët ishin në Kuvend e shqiptarët në mal, tani shqiptarët janë brenda institucioneve dhe serbët janë afër malit.
“Në kohën e Millosheviqit serbët në Kuvendin Krahinor të Kosovës, shqiptarët në mal. Tani jemi në pozitë të ngjashme, tani shqiptarët janë brenda institucioneve dhe serbët po përgatiten, ose janë afër malit”, është shprehur Trajkoviq, e cila gjithashtu ka kërkuar që të ndalohet një ‘realitet’ i tillë.
Në videon e mëposhtme mund ta gjeni fjalimin e Rada Trajkoviq, nga minuta e 01:55:25