Disa banorë të një ndërtese në Prishtinë po ankohen se për shkak të vërshimeve, uji i shirave po u depërton deri në bodrum, nëpërmjet kanaleve ku është i shtrirë rrjeti elektrik, shkruan Fol Drejt.
Fjala është për banorët e rrugës “Mahir Domi” në lagjen Tophane. Kjo ka ndodhur prej kohës kur disa punëtorë të KEDS-it, i kanë kryer punimet pranë objektit – thonë ata.
“Fjala asht për banesën numër 18” – thotë njëri prej banorëve, duke saktësuar se me këtë problem kanë filluar të ballafaqohen qyshse ka nisur sezoni i shirave.
“…para do mujsh do punëtorë të KEDS-it i kanë shkaktu disa dame, të cilat, nuk i kanë sanue” – tha njëri prej tyre, duke shtuar se me gjithë ankesat, këta të fundit nuk janë përgjigjur.
Njëra nga banoret, një zonjë e shtyrë në moshë, tha se as lifti nuk po funksionon, për shkak të këtij problemi. Ajo u detyrua ta lë biçikletën e nipit të saj, te fqinjët e katit të parë në kohën kur reporteri i Fol Drejt zhvilloi një bisedë me banorët e ndërtesës.
“As lifti nuk po punon… Edhe pse u nalë shiu, uji po vjen prej kanaleve pandërprerë” – shtoi ajo.
Fol Drejt ka provuar të marr një përgjigje për këtë problem, mirëpo në emailin e redaksisë, ende nuk ka arritur një përgjigje për pyetjen e adresuar./FolDrejt/