Një zjarr ka rënë në një traget që lundronte nga Greqia drejt Italisë me 288 persona në bord, sipas rojeve bregdetare greke. Euroferry Olympia me flamur italian ishte nisur drejt portit të Brindisit nga qyteti grek i Igumenicës, kur zjarri shpërtheu mëngjesin e së premtes pranë ishullit të Korfuzit në detin Jon, raporton The Guardian.
Roja bregdetare tha se në bord ishin 237 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit.
“Të gjithë pasagjerët janë të sigurt në varkat e shpëtimit”, tha në një prononcim për radion Skai, Kostas Katasafados, sekretar grek i shtetit për marinën tregtare.
Pasagjerët dhe ekuipazhi po dërgoheshin në Korfuz, thanë autoritetet. Kushtet e motit në zonë ishin të buta, transmeton Fol Drejt.
Nuk është raportuar për viktima dhe policia tha se tre rimorkiatorë dhe tre varka patrullimi u dërguan për të ndihmuar pasagjerët.
“Kapiteni i Euroferry Olympia u kërkoi pasagjerëve të largoheshin nga varka,” tha policia.
Një video e ngarkuar në uebsajtin grek të lajmeve Proto Thema tregoi një traget të përfshirë në flakë dhe shtëllunga të mëdha tymi./FolDrejt/
https://www.youtube.com/watch?v=NU-eLaSpJ3Q&ab_channel=ProtoThema