Zyrtarët shëndetësorë në Vietnam thanë se kanë identifikuar një variant të ri të koronavirusit, që është me orgjinë të përzier mes variantit britanik dhe atij indian, dhe është i transmetueshëm në ajër.
Ministri i Shëndetësisë në këtë shtet Nguyen Thanh Long ka thënë më 29 maj se virusi është vërejtur te pacientët lokalë.
“Ministria e Shëndetësisë mund të shpallë variantin e ri të koronavirusit në hartën globale”, ka thënë Long, sipas faqes online VnExpress.
Varianti vietnamez, i cili nuk ka emër, duket se ka ngjashmëri me variantin indian, i cili ka mutacione që fillimisht janë identifikuar te varianti britanik, ka thënë ai.
Varianti britanik konsiderohet se përhapet lehtë, derisa variantet indiane besohet se janë po ashtu të transmetueshme lehtë, por edhe më rezistuese ndaj neutralizimit të antitrupave.
Riprodhimi i shpejtë mund të rrisë mundësinë e shfaqjes së mutacioneve midis patogjenëve të tillë.
Vietnami më parë ka raportuar për shtatë variante të koronavirusit, katër britanike dhe tri indiane.