Vendi anëtar i NATO-s Estonia njoftoi se një helikopter rus i rojës kufitare shkeli hapësirën ajrore të vendit baltik gjatë fundjavës, me ç’rast thirri ambasadorin rus për t’i dhënë notë proteste për incidentin.
Ushtria e Estonisë tha në një deklaratë se helikopteri rus MI-8 hyri në hapësirën ajrore të vendit në Estoninë juglindore në zonën Koidula, jo shumë larg qytetit rus të Pskov, pa leje të shtunën në mbrëmje, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Helikopteri ishte në hapësirën ajrore të Estonisë për gati dy minuta, njoftoi ushtria e Estonisë, duke shtuar se ai nuk kishte paraqitur një plan fluturimi, transponderin e kishte të fikur dhe nuk arriti të mbante kontakt radio me Shërbimet e Navigimit Ajror të Estonisë.
Ndërhyrja e supozuar ishte shkelja e dytë e hapësirës ajrore të Estonisë këtë vit. Vitin e kaluar, avionët rusë, ushtarakë dhe civilë, shkelën hapësirën ajrore të Estonisë pesë herë, sipas ushtrisë.
Të premten, ambasadori i Rusisë në Danimarkë u thirr në ministrinë e jashtme daneze pasi një anije ushtarake ruse shkeli dy herë ujërat territoriale të vendit në ishullin Bornholm të Detit Baltik.
Incidenti ndodhi ndërsa shumë deputetë danezë ishin në ishull për një mbledhje vjetore të politikanëve dhe lobistëve./FolDrejt/