Policia e Kosovës që nga viti 2017, ka identifikuar 102 viktima të trafikimi me qenie njerëzore, ku 75 janë nga Kosova, nëntë nga Shqipëria dhe pjesa tjetër nga Serbia, Mali i Zi, Moldavia dhe Çekia.
Sipas shefit të sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz, Riza Murati, në një intervistë për KosovaPress, thotë se 59 % e këtyre rasteve të trafikimit janë nën moshën 18 vjeçare, përcjell FolDrejt.com.
Sipas Muratit, gjendja ekonomike, moskujdesi prindëror, braktisja e shkollimit janë disa nga arsyet që viktimat janë pre e trafikimeve. Ai shtoi se viktimat zakonisht gjenden në vende jo të përshtatshme si në lokale të natës, klube të vallëzimit, në rrugë por dhe në apartamente.
“Arsyet janë nga më të ndryshmet që arrijnë të trafikohen viktimat e trafikimit, një prej arsyeve është gjendja ekonomike dhe sociale d.m.th moskujdesi i duhur prindërorë në familje, problemet në familje, braktisja e shkollimit, d.m.th i vënë në një situatë të ndjeshme që ato lehtë të binë pre e mashtrimeve dhe të revoltohen me qellim të shfrytëzimit të tyre në format nga më të ndryshmet, tani po flasim kur ato viktima gjenden në vendet nga më të ndryshmet të shfrytëzimit, pjesa më e madhe e tyre gjenden në lokale të natës, klube të vallëzimit, sallone masazhi, në rrugë por edhe në vendet e tjera të apartamenteve,” deklaron ai.
Murati shton se Policia e Kosovës i ofron viktimave strehim i sigurt dhe mbrojtje të identitetit. Në ndërkohë Murati tha se Policia e Kosovës ka organizuar një drejtori në vete për t’u ballafaquar me këtë situatë.