Rivalët e Madridit, Real dhe Atletico u përplasën në një ndeshje dramatike të Kupës së Mbretit, ku Reali doli fitues pas kohës shtesë. Një nga golat u shënua nga Vinicius, i cili iu përgjigj në mënyrën më të mirë provokimeve të tifozëve të Atleticos.
Real Madridi ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit me fitoren 3:1 ndaj Atleticos. Në kohën shtesë, Karim Benzema dhe Vinicius Junior shënuan për Klubin Mbretëror dhe goli i mjaftoi brazilianit, i cili u përball me provokime nga tifozët rivalë para ndeshjes.
Në periudhën para ndeshjes, tifozët e Atleticos kanë varur një kukull të veshur me fanellën e Vinicius në një nga mbikalimet e kryeqytetit spanjoll dhe njëkohësisht kanë shpalosur edhe pankarta me përmbajtje ofenduese dhe të papërshtatshme. Edhe para kësaj, Vinicius tashmë ishte përballur me komente raciste nga mbështetësit e bardhekuqve.
“Ka vetëm një klub në Madrid. Ne të gjithë e dimë mirë këtë.”, ka shkruar Vinicius pas fitores në rrjetet sociale, duke gjuajtur kështu kripë në plagët e tifozëve të Atleticos. Kështu skuadra e trajnerit Carlo Ancelotti kaloi në top katërshen e Kupës së Mbretit dhe është në vendin e dytë në La Liga të Spanjës, tre pikë prapa Barcelonës.
Reali do të luajë një ndeshje kampionati kundër Real Sociedad të dielën, transmeton Fol Drejt.