Mësimi në qytetin e Tetovës do të ndiqet kryesisht online. Nga gjithsej 19 shkolla sa ka Tetova dhe fshatrat e Komunës së Tetovës, vetëm në pesë prej tyre nxënësit mund të ndjekin mësimin me prani fizike, kjo pasi që qyteti i Tetovës është një ndër qytetet me numër më të madh të nxënësve në Maqedoni pas Shkupit.
Udhëheqësi i sektorit për arsim, Ahmed Qazimi thotë se shkollat në Tetovë janë të gatshme edhe për mësim me prani fizike, edhe online, por gjithçka do të varet prej Ministrisë së Arsimit.
“Duke e pasur parasysh numrin e nxënësve që janë në shkollat fillore dhe të mesem të Tetovës, janë vetëm pesë shkolla që janë ndër pesë nxënës që janë në objektet shkollore, kurse të gjitha objektet e tjera janë mbi pesë nxënës dhe pjesa më e madhe e shkollave kanë mbi një mijë nxënës, kurse kemi edhe shkolla që kanë mbi 2 mijë nxënës”, pohon Ahmed Qazimi nga Sektori për Arsim në Tetovë.
Në Gostivar, në shkollat e mesme me numër më të ulët të nxënësve do të mësohet me prezencë fizike, ndërsa në ato me numër më të madh do të vazhdojë mësimi online. Aslian Snopçe, nga sektori për arsim në qytetin e Gostivarit, thotë se shkollat periferike kanë numër më të vogël të nxënësve dhe do të vazhdojnë mësimin me prezencë fizike.
“Shkolla e mesme e mjekësisë ka numër të madh të nxënësve dhe atje do të mësohet online, në shkollën ekonomike për shkak të numrit të ulët të nxënësve dhe klasa me numrin më të madh është 15, shpresojmë se do fillojnë me prezencë fizike, ndërsa dy shkollat e tjera të mesme përgaditen për vitet e para me prezencë fizike deri sa nxënësit të adaptohen, ndërsa vitet e tjera të vazhdojnë me mësimin e kombinuar, dhe në tre muaj të shkojnë për përsëritje në shkollë”, tha Aslian Snopçe nga Sektori për Arsim në Gostivar.
Problem tjetër në shkolla vazhdon të jetë edhe stafi teknik. Nga komunat thonë se kanë kërkuar nga ministria rritjen e stafit që do përkujdesen për higjienën e shkollave për të respektuar me përpikmëri protokollet.