Sipas hulumtimeve, rritja e stresit psikologjik shoqërohet me probleme të shëndetit kardiovaskular.
Ato përfshijnë presionin e lartë të gjakut, sulmin në zemër dhe goditjen në tru.
Në të vërtetë, stresi psikologjik mund të jetë po aq i rrezikshëm për shëndetin e zemrës sa edhe faktorët e tjerë si:
obeziteti
presioni i lartë i gjakut
pirja e duhanit
kolesteroli i lartë
pasiviteti fizik
Si ndikon stresi në trupin tuaj?
Stresi nuk është gjithmonë një gjë negative, por mund të jetë edhe shumë i dobishëm.
Stresi afatshkurtër mund t’ju japë energji për të përfunduar një projekt, t’ju shtyjë të performoni më mirë ose t’ju ndihmojë të merrni një vendim të shpejtë, si për shembull në një situatë kërcënuese për jetën.
Ju mund të ndiheni të stresuar edhe në momente të lumtura gjatë jetës, si gjatë një martese, kur blini një shtëpi të re ose në takimet me njerëz të rinj.
Por stresi që zgjat për një periudhë të gjatë, mund të jetë i rrezikshëm për mirëqenien e përgjithshme si edhe për shëndetin e zemrës tuaj.
Stresi kronik mund të jetë rezultat i shqetësimeve të vazhdueshme për një punë, një marrëdhënie, një gjendje shëndetësore ose rrethana ekonomike.
Ai mund të paraqitet si:
nervozizëm
depresion
ankth
muskuj të tensionuar
energji e ulët
pagjumësi
dhimbje koke
stomak i trazuar
luhajte humori
Me kalimin e kohës, nivelet e larta të hormoneve të stresit mund të çojnë në një rrjedhë efektesh të padëshiruara, të tilla si:
rritje e presionit të gjakut
rritje e inflamacionit
fluks i reduktuar i gjakut në zemër
rrezik i shtuar për sulm në zemër dhe goditje në tru
A mund të rrisë stresi edhe rrezikun e një ataku në zemër?
Stresi mund të prekë shumë pjesë të trupit tuaj, veçanërisht zemrën dhe sistemin kardiovaskular.
Një studim ku AgroWeb.org mbështet, studiuesit shqyrtuan se si kjo mund të ndodhë, duke vëzhguar funksionin e zemrës tek njerëzit me stres fizik dhe emocional.
Pas analizave të ndryshme, rezultati tregoi se stresi emocional kishte një ndikim më të madh në shëndetin kardiovaskolar të pjesëmarrësve.
Ata kishin më shumë gjasa të pësonin një atak kardiak jofatal ose të vdisnin nga sëmundje kardiovaskulare në vitet pasardhëse.
Me fjalë të tjera, stresi ka një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e zemrës dhe rrit rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru për vitet në vijim.
Çfarë mund të bëni për të menaxhuar stresin në mënyrë të shëndetshme?
Menaxhimi i stresit nuk është një zgjidhje që funksionon për të gjithë njëlloj. Mund t’ju duhen javë ose muaj për të kuptuar se çfarë teknikash ju përshtaten më tepër.
AgroWeb.org ju vjen në ndihmë duke ju sugjeruar disa aktivitete të tilla si:
kryeni aktivitet fizik
takoni më shpesh miqtë dhe të dashurit tuaj
përkushtojini kohë gjërave që ju pëlqen të bëni më shumë
ushqehuni shëndetshëm
praktikoni meditimin
përmirësoni cilësinë e gjumit /AgroWeb.org