Vladimir Nabokov, shkrimtari shumëplanësh, me një jetë të guximshme dhe dramatike, autori i të famshmes “Lolita” dhe “Mbrojtja Luzhin”, ishte tejet i apasionuar pas shahut. “Problemet e shahut kërkojnë nga ata që i kompozojnë të njëjtin nivel cilësor që karakterizon çdo kompozim tjetër artistik: origjinalitet, shpikje, harmoni, saktësi, kompleksitet dhe… mungesë totale sinqeriteti”, – do shprehej ai.
Të mendosh për realitetin, duke e projektuar atë në një tabelë shahu është një zakon që nuk i përket më Perëndimit. Një fakt që shumëkush do ta gjejë befasues, është se në të kaluarën përbrendësimi intelektual i kësaj loje fisnike, prodhoi deri modele mendore, për interpretimin e ngjarjeve të tanishme dhe parashikimin e të ardhmes. Një shembull i mrekullueshëm është “Ludus scacchorum”, një traktat i kompozuar rreth vitit 1300, nga Jacopo da Cessole, një frat dominikan. Shtresat shoqërore, dinamika e fuqisë, veprimet dhe ndërveprimet midis individëve krahasohen dhe mbivendosen në kutizat e shahut dhe lëvizjet e ndryshme që duhen bërë në tabelën e shahut. Njëlloj ushtrimi korrespondence, ai mes lojës dhe realitetit, sa banal aq edhe universal. Në fakt, etërit e mendimit perëndimor mesjetar, këtë model analitik e aplikuan edhe për dashurinë, pikërisht në “Libri i shahut i dashurive të moralizuara”. Shkruar nga një doktor-shkrimtar francez, Evrard dë Conti, në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë, libri është një vepër letrare që tregon dhe mëson, nëpërmjet një ligjërimi të moralizuar (d.m.th. alegorik dhe edukativ), strategjitë që i dashuri mund të përdorë në marrëdhënie joshëse dhe sentimentale.
Ndërkohë, kjo histori për ne i është deleguar së shkuarës, ndërsa kombet e tjera, si ai rus, vazhdojnë ta bëjnë shahun një paradigmë veprimi dhe interpretimi të realitetit, një sistem abstraksioni dhe analize plotësisht të asimiluar. Për të pasur parasysh se rusët jo vetëm që dinë ende të luajnë shah, por që atë e bëjnë një lloj filozofie dhe praktike ekzistenciale, mjafton t’i drejtohemi mendjemprehtësisë së përhershme të Vladimir Nabokovit, te “Mbrojtja Luzhin” (1930), një roman i bukur, i shkruar në rusisht, përpara se autori të mbëltonte identitetin, biografinë dhe gjuhën e tij, në Shtetet e Bashkuara.
Në këtë histori, e ndjekim Luzhinin që nga fëmijëria, vitet e përvetësimit të vullnetit individual, deri në vdekje: tërë ekzistenca e tij shënohet nga prania e shahut, ku Luzhin është një kampion i rangut ndërkombëtar. Kur arrin kulmin e famës, protagonisti është viktimë e një krize nervore, që do ta pengojë të mposhtë kundërshtarin e vetëm në nivelin e tij, një traumë që do ta bëjë të heqë dorë dhe vetë praninë e lojës në jetën e tij. Që nga ai moment, teksa të gjithë rreth tij përpiqen t’i rikthejnë kuptimin e ekzistencës, duke e zhytur në normalitetin borgjez të martesës, Luzhin vendos të arratiset: vetëvrasja është mbrojtja e tij më e mirë, për të ndërprerë pezullimin e lojës dhe jetën pa shah. Protagonisti është një sociopat, një produkt anormal i mjedisit të tij, një qenie e jashtëzakonshme si për aftësitë intelektuale, aq edhe për të metat emocionale dhe për intensitetin e sindromës monomaniake.
Veçse Nabokov, demonstron dyzimin e këtij itinerari ekzistencial të pazakontë.
Protagonisti, nuk portretizohet si “anormal”, madje identiteti dhe psikika, nuk problematizohen kurrë. Vetëm përmes skicave të realitetit, që kufizojnë veprimin e jashtëm, autori vë para syve të lexuesit papërshtatshmërinë e protagonistit ndaj një shoqërie të përbërë nga rregulla, të cilave Luzhini nuk u përmbahet, por që di t’i dominojë. Dhe çelësi është: jeta e shahut, ka përparësi ndaj jetës reale, një fenomen që përfaqëson, për Luzhin, ndërmjetësimin drejt një forme analize të realitetit, konotacioneve dhe zhvillimeve aq të thella, sa e lejojnë të kuptojë pasigurinë që karakterizon realitetin, ashtu siç e karakterizon lojën. […]
Mbi të gjitha, Nabokov duket se na paraqet një shëmbëlltyrë, një lloj udhërrëfyesi për shpirtin rus, përmes teknikës narrative metonimike të “pjesës për të gjithë” (një rus, për të gjithë): qëllimi është të vihet në skenë, lidhja thelbësore midis jetës. Dhe loja, sikur shahu të përfaqësonte jo vetëm substancën e jetës, por edhe strukturën e saj. Me një alternim elegant metaforash të guximshme, lojëra verbale, përshkrime surealiste që trazojnë përfytyrimin e lexuesit në shumë detaje, pafundësisht të vogla, kur krijesa njerëzore nuk skicohet më në tërësinë e tij, por i ka kapur me tërësi, këpucë misterioze me majë, doreza të dobëta: me pak fjalë, të gjitha ato topoa stilistike që e bëjnë penën e Nabokovit, të pagabueshme dhe të paimitueshme, emigranti rus na katapulton në botën e Luzhinit, një fëmijë i brishtë, introvert, me një prirje të ulët për marrëdhënie me moshatarët. Tema përmban në vetvete aspekte të aktualitetit të zjarrtë, çfarë mund të çojë në projektimin e dinamikës më elementare të lojës, në një kuptim luftarak, ku strategjitë e duhura, që përfshijnë edhe humbjet, mund të çojnë në fitore. Nga ana tjetër, humbja totale do të ishte e barabartë me vetëvrasje, sepse, si në lojë, midis fitimtarit e humbësit nuk ekziston aurea mediocritas. Me “Mbrojtja Luzhin”, Nabokov shkroi romanin më të fuqishëm, për obsesionin pas shahut, ku loja vjedh shpirtin, të çon në ekstazë dhe shkakton mundime./konica/