Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, e ka bërë të ditur vlerën e koeficientit të pagës për punëtorët e sektorit publik, për ç’gjë kanë filluar menjëherë reagimet, shkruan Fol Drejt.
Sipas të dhënave të para, vlera e këtij koeficienti do të jetë 105 euro.
Ali Sefaj nga Sindikata e Shërbyesve Civil të Kosovës për Fol Drejt ka thënë se kjo është e papranueshme:
“Kjo është tallje e radhës e qeverise me sektorin publik dhe largim i kuadrove profesionale nga administrata shtetërore dhe sektori publik.”
Ai ia ka kujtuar opinionit publik se, ata kanë kërkuar që kjo vlerë të jetë të paktën 132 euro.
Njohësit e zhvillimeve ekonomike konsiderojnë se pikërisht për shkak të pagave të ulëta, Kosova nuk po ia del t’i mbajë punëtorët e kualifikuar.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) niveli i pagave për vitin 2021 te sektori publik është vrejtur një rënie të pagës bruto dhe neto, krahasuar me vitin paraprak, e cila ka ardhur për arsye se në vitin paraprak (2020) ka pasur përfitime të shtesave në sektorët specifikë. Më saktë, sipas këtij raporti, paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 Euro, derisa në vitin 2021 ishte 612 Euro, duke u rritur për 205 Euro, ndërsa, paga mesatare neto nga 366 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 542 Euro në vitin 2021. Një rritje prej 176 Eurosh.
Megjithatë, për shkak të inflacionit të lartë (mbi 10% në vitet e fundit), vlera e të ardhurave në sektorin publik është ulur, duke e futur në vështirësi kësisoj ekonominë e familjeve kosovare./FolDrejt/