Dhjetëra shtetas polakë të cilët janë turistë, po marrin ndihmë mjekësore në Shqipëri, pas shfaqjes së simptomave të helmimit.
Në një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë të publikuar në rrjetet sociale, thuhet se në spitalin e Vlorës janë paraqitur për ndihmë mjekësore me simptoma helmimi nga ushqimi 41 turistë, shtetas polakë, të cilët sipas policisë janë jashtë rrezikut për jetën, përcjell Fol Drejt.
“Nga verifikimet paraprake rezulton se këta shtetas gjatë ditës së sotme kanë qenë me guidë me anije turistike në ishullin e Sazanit të Qarkut të Vlorës. Grupi hetimor i ngritur për këtë rast, në bashkëpunim me specialistë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut të helmimit të këtyre shtetasve”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, në një deklaratë nga Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Vlorë, publikuar në rrjetet sociale, thuhet se situata e pacientëve nuk paraqitet kritike./FolDrejt/