Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, uroi Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres dhe presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, duke theksuar se ka mirëpritur dakordësimin lidhur me vazhdimin e Iniciativës së Drithit në Detin e Zi, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Uroj Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe presidentin Rexhep Tajip Erdogan për marrëveshjen lidhur me vazhdimin e Iniciativës së Drithit në Detin e Zi”, është shprehur Von der Leyen nëpërmjet një postimi në Twitter.
Më tej Von der Leyen vuri në dukje se kjo nismë, së bashku me “Rrugët e Solidaritetit të BE-së”, ka ndihmuar në parandalimin e mungesës globale të ushqimit dhe uljen e çmimeve të ushqimit, pavarësisht luftës së zhvilluar nga Rusia.
Edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, lidhur me iniciativën në fjalë ka theksuar se nga Ukraina janë eksportuar mbi 10 milionë ton drithëra dhe se rinovimi i marrëveshjes është një lajm i mirë për botën e cila ka nevojë të madhe për drithërat dhe plehrat bujqësore.
Marrëveshja për dërgesat e drithit e realizuar nën koordinimin e Turqisë për zgjidhjen e krizës globale të ushqimit u nënshkrua në Istanbul më 22 korrik nën kujdesin e presidentit Rexhep Tajip Erdogan, mes Ukrainës, Rusisë, Turqisë dhe OKB-së. Afati i marrëveshjes do të përfundonte më 19 nëntor./FolDrejt/