Sot janë duke u mbajtur zgjedhjet e parakohshme lokale për komunat veriore të Kosovës. Disa prej kandidatëve kanë uruar që ky proces të përfundojë pa incidente dhe që prej tyre të dalin udhëheqës demokratikë, shkruan Fol Drejt.
Kandidati i Vetëvendosjes Erden Atiq për komunën e veriut të Mitrovicës, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin e të votojnë:
“Unë sapo e kreva obligimin qytetar, shpreh mundësinë që përmes juve me ju bo ftesë të gjithë qytetarëve të Mitrovicës veriore me dalë me votu në numër sa më të madh me përkrahë kandidatin që ata mendojnë që është më i miri”, tha ai.
Sipas tij për Mitrovicën veriore po vijnë ditë të mira.
Edhe kandidatja e pavarur për kryetare të Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, e ka shfrytëzuar këtë të drejtë. Ajo mbetet e vetmja nga komuniteti serb nga gjithsejtë dhjetë kandidatë që garojnë në zgjedhjet e parakohshme lokale në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Deri më tani, nuk është raportuar për ndonjë incident dhe këtë e ka konfirmuar edhe Kryetari i KQZ së Kreshnik Radoniqi.
“Sot si përfaqësues i KQZ-së se bashku me anëtarët tjerë erdhëm me pa qendrat e votimit. Procesi është duke shkuar në rregull, nuk ka ndonjë problem, ftoj qytetarët e katër komunave të dalin në zgjedhje dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë. Ne si KQZ kemi ndërmarrë të gjitha masat që procesi të shkojë në rregull. Siguria është në nivel”, tha ai para mediave./FolDrejt/