Lidhja Demokratike e Kosovës -Dega në Vushtrri ka njoftuar se ka larguar nga partia tre aktivistët dhe njëherit këshilltarë në Kuvendin e Komunës, Agron Perçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku.
Sipas njoftimit të Degës së LDK-së, largimi i tyre ndodhi për shkak se asamblistët e lartpërmendur bashkuan votën e tyre me Partinë Demokratike të Kosovës, mbështetën zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit dhe zgjedhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF), në kundërshtim me vendimin e Degës së LDK-së.
“Tradhëtarët u vetdemaskuan në këto dy mbledhje të Kuvendit të Komunës. Prandaj, për të gjithë aktivistët e devotshëm të LDK-së në Vushtrri tashmë është e qartë që këta tre persona për qëllime përfitimi personal e kanë tradhtuar besimin e elektoratit dhe aktivistëve të LDK-së duke dëmtuar rëndë LDK-në, madje me veprimet tinëzare të tyre edhe gjatë fushatës elektorale duke ia dhuruar PDK-së fitoren e pamerituar në Vushtrri”, njofton LDK.
“Për z. Idrizin e sekserët e tij politikë, që blejnë e tregëtojnë me vota asambleistësh, ju themi që janë të humbur, qeverisja juaj është e paaftë dhe pa vizion për qytetin e Vushtrrisë. Pushteti me vota të manipuliara nuk mundet të caktojë përfaqësuesit e opozitës në KPF, është praktikë jodemokratike e paparë dhe e padëgjuar në historinë institucionale të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
LDK, dega në Vushtrri njofton se do t’i drejtohet me ankesë Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për këtë shkelje të Kuvendit të Komunës.
Për këtë largim ka reagur njëri nga asamblistët e përjashtuar, Agron Përçuku, i cili ka thënë se ky vendim është në kundërshtim me statutin e LDK-së.
Ndër të tjera ai ka thënë se në mbledhjen e mbajtur nuk ka pasur kuorum për marrjen e vendimit.
“Kryesia e degës së LDK-së në Vushtrri ka 23 anëtarë, ndërsa sot në mbledhje kanë marrë pjesë vetëm 10 anëtarë. Rrjedhimisht, kryesia ka vepruar edhe në këtë rast në kundërshtim me Statutin”, ka thënë Përçuku.
Përçuku ka shtuar se ai dhe kolegët e tij do të vazhdojnë të jenë pjesë e LDK-së dhe se “anëtarësia e mirëfilltë e LDK-së, do t’ua tregoj vendin”.