Të dielën në mbrëmje në lagjen “Arbanë” në Prizren, 48 vjeçari me inicialet B.M u ekzekutua me armë zjarri. Hetimet për rastin e tij, kanë vijuar në mënyrë intensive, ndërsa sot i janë vënë prangat edhe të dyshuarit kryesor, njofton Policia e Kosovës, shkruan Fol Drejt.
Policia ka njoftuar se Aziz Gashi, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Ai është gjetur dhe arrestuar në Tërpezë të Malishevës, ndërsa në një objekt tjetër është gjetur arma me të cilën dyshohet se ka kryer krimin.
“Po është arrestuar gjatë ditës. Gjatë ditës është bastisur së paku një objekt, aty nuk është gjet i dyshuari, por arma e tij që dyshohet se është përdorë. Në mbrëmje është arrit të lokalizohet i dyshuari, në fshatin Tërpezë të Malishevës”, ka thënë zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, raporton Telegrafi.
Sipas tij, dyshohet se Aziz Gashi kishte shtënë me pushkë automatike në drejtim të viktimës nga automjeti në lëvizje dhe kishte ikur nga vendi i ngjarjes.
Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se në vendin e arrestimit janë gjetur edhe disa gjëra personale të të dyshuarit:
“Gjatë ditës së sotme me urdhër të Prokurorit dhe me autorizim të Gjykatës Themelore në Prizren, është bastisë një lokacion në Malishevë ku është dyshuar se mund të gjendet i dyshuari, në atë lokacion nuk është gjet i dyshuari por është gjet një armë-pushkë automatike që dyshohet se është përdor në rastin e krimit, në lokacionin e njëjtë janë gjetur edhe disa sende personale të dyshuarit”, thuhej në njoftim.
Motivi besohet të jetë një mosmarrëveshje ndërmjet tij dhe viktimës./FolDrejt/