Më 22 gusht të vitit të kaluar, në fshatin Nekoc të Drenasit është vrarë Qamil Demiri. Të dyshuar për vrasjen e tij ishin katër persona, tre nga të cilët pasi ishin arratisur, ishin vetëdorëzuar në polici. Sot, policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë edhe të dyshuarin e katërt lidhur me këtë rast, raporton Express
Në njoftimin e policisë është bërë e ditur se i dyshuari është arrestuar në rrugën “Tringë Smajli” në Prishtinë.
“Më datë 22.08.2020, në fshatin Nekoc të Gllogocit, kishte ndodhur rasti ‘vrasje e rëndë’. Lidhur me rastin, në atë kohë janë arrestuar tre persona të dyshuar të përfshirë në rast. I dyshuari i katërt I.S., (viti i lindjes 1991, mashkull kosovar) që nga ajo ditë ndodhej në arrati. Lënda është dërguar në prokurori me kallëzim penal ndaj të dyshuarave, ndërsa nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, është lëshuar URDHËR ARREST ndaj të dyshuarit I.S.”, ka bërë të ditur policia.