Nëpër rrjetet sociale është komentuar gjatë një pankartë me mbishkrimin: Vrasja e grave është urgjencë kombëtare.
Kjo pankartë ishte pjesë e marshit protestues i cili u mbajt gjatë ditës së djeshme, në festën e 8 Marsit, Ditës së Gruas, transmeton Fol Drejt.
Ndonëse e paraqitur parimisht në shenjë proteste, pati reagime në Facebook rreth kësaj pankarte. Kjo për faktin se kuptimi në lexim të parë është i kundërt me qëllimin e marshit protestues, por reagimet ndërlidheshin edhe me mungesën e renditjes logjike të fjalëve, pasi pikërisht këtu qëndron edhe mundësia e keqinterpretimit.
Për këtë, Fol Drejt e kontaktoi gjuhëtarin, Qëndrim Morina dhe ai u shpreh se këtu kemi të bëjmë me shpërputhje gjuhësore (konkretisht, në aspektin semantik) kundruall realitetit.
Në prononcimin e plotë për Fol Drejt, Morina është shprehur:
Protestimi i shoqërisë civile, dje, për nder të Ditës së Gruas, si shkak i mosdhunës dhe vrasjeve ndaj grave, mes tjerash, pati edhe një parullë oksimorone: “Vrasja e grave është urgjencë kombëtare”.
Në këtë rrafsh kemi të bëjmë me shpërputhje gjuhësore (konkretisht, në aspektin semantik) kundruall realitetit.
Ekonomizmi gjuhësor në këtë sfond është shumë i gabueshëm sepse sado që qëllimi ka qenë i mirë, gjuhësisht është skandaloz. Do të thotë, duke dashur të protestojmë për qëllime të mira përdorim gjuhën në funksion të gabuar.
Shembull më tipik i kësaj parulle për këtë protestë ndoshta do të ishte më mirë: “Ndalimi i vrasjeve të grave- urgjencë kombëtare”.
Kjo parullë u pa si problematikë shumë elementare, pasi që pavarësisht qëllimit krejtësisht të kundërt, mënyra se si është shkruar bëri që të ketë një konotacion tjetër./FolDrejt/