Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar përsëri për vrasjen e gruas nga burri në Llaushë të Skenderajt, veçse këtë herë ka kërkuar masa urgjente ndaj prokurores kujdestare dhe mbrojtëses së viktimave.
Haxhiu tha se prokurorja e ka lënë dhunuesin e lirë, derisa për mbrojtësen e viktimës thotë se ka kërkuar që lënda t’i dërgohet me e-mail, në vend se të takohej me viktimën në kohën sa ajo ishte në polici.
“Sipas informatave zyrtare, prokurorja kujdestare ka kërkuar që rasti të kualifikohet si ‘Dhunë në familje’ por edhe përkundër kësaj kishte kërkuar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt, pra që dhunuesi të mbetet i lirë! Ndërsa mbrojtësja e viktimave paska kërkuar dërgim me email të lëndës, në vend se të shkonte te viktima sa ishte në polici”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ministrja e Drejtësisë ka thënë se dy gra që është dashur të veprojnë për të mbrojtur jetën e tani të ndjerës nuk i kanë kryer detyrat, prandaj ka kërkuar të ndërmerren masa urgjentisht.
“Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme që të mos ketë tolerancë ndaj rasteve të dhunës në familje, pra që dhunuesit të shkojnë prapa grilave, sërish neglizhohen këto raste të ndjeshme”.
Haxhiu, në një postim paraprak, ka thënë se për vrasjen në Llaushë të Skenderajt janë përgjegjës institucionet, ku edhe ka kërkuar që urgjentisht të ndërmerren masa disiplinore dhe penale ndaj të gjithë atyre që nuk kanë mbrojtur jetën e të ndjerës.