Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se janë suspenduar 15 policë dhe janë arrestuar gjashtë prej tyre pas ngjarjes tragjike mbrëmë ku aksidentalisht u vra zyrtari, Lirim Haxholli, teksa bashkë me kolegët ishin në një ndejë private në fshatin Zllatar të Prishtinës.
Nëpërmjet një komunikate IPK njofton se polici i plagosur ishte dërguar për trajtim mjekësor dhe pavarësisht përpjekje të mjekëve i njëjti fatkeqësisht ka vdekur si pasojë e lëndimeve, njofton Klankosova.tv, përcjell FolDrejt.com.
“Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në një ndejë private ku morën pjesë 15 zyrtarë policorë që të gjithë jashtë detyrës zyrtare. Personi i dyshuar në këtë rast – (zyrtar policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”.
“Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Inspektorati Policor janë arrestuar edhe 5 zyrtarë tjerë policorë (që ishin prezent në ndejë) kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar”.
“IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit edhe për 9 zyrtarët tjerë policorë që ishin prezent në këtë rast”.
Tutje, IPK bën të ditur se bashkë me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve janë akoma duke bërë vëzhgimin e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.