Më 11 shtator, Podujeva u trondit nga vrasja e rëndë që ndodhi në rrugën “Zahir Pajaziti”.
Një person e shndërroi atë pjesë në një skenë krimi, duke e vrarë me dy armë 34-vjeçarin, Valmir Breznica, ndërsa e la të plagosur bashkëshorten e tij.
Personi që dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, Arsim Syla, është kapur, ndërsa i dyshuari kryesor akoma jo.
Para disa javësh, Policia publikoi vetëm foton e tij dhe kërkoi ndihmë për ta identifikuar, ndërsa tash ka njoftuar se është zbuluar identiteti i të miturit që dyshohet se kreu vrasjen.
Sipas PK-së, i dyshuari është Lordi Arsim Sulja nga fshati Gllamnik, me nënshtetësi holandeze.
“Njësiti i hetimeve të përgjithshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personit të dyshuar.
Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së personit të dyshuar kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, bën thirrje policia./FolDrejt/