Operacioni u ndërmor disa orë pas shpërthimit të bombave të Al-Shabaab në Mogadishu.
Forcat paqeruajtëse të Misionit të Unionit Afrikan në Somali (AMISOM) kryen një operacion të mërkurën vonë kundër grupit terrorist Al-Shabaab të lidhur me Al-Kaedën, duke vrarë mbi 20 terroristë, njoftuan mediat lokale, shkruan AA.
Operacioni u zhvillua në rajonin Shabelle të Poshtme të Somalisë.
AMISOM kreu operacionin disa orë pasi Al-Shabaab sulmoi kryeqytetin Mogadishu në disa fronte dhe për pak kohë pushtoi stacionin e policisë së qarkut Kahda.
Sulmet, të cilat filluan me autobomba vranë të paktën 5 persona, përfshirë dy civilë dhe plagosën 16 të tjerë.
“AMISOM ndërmori këtë operacion pa koordinimin e forcave të sigurisë të qeverisë federale”, raportoi uebfaqja e lajmeve “Garowe Online”, transmeton Fol Drejt.
Derisa qeveria somaleze fokusohet në përfundimin e zgjedhjeve parlamentare brenda afatit kohor të 25 shkurtit, Al-Shabaab ka dyfishuar sulmet terroriste.
Sulmi i mbrëmshëm në Mogadishu ishte sulmi i parë i tillë frontal nga grupi terrorist që nga viti 2011, kur forcat qeveritare somaleze të mbështetura nga AMISOM morën plotësisht kontrollin mbi Mogadishun./FolDrejt/