Nga një sulm me predha ditën e djeshme janë vrarë dy ushtarë turq bën me dije media turke Sabah, përcjell foldrejt.com. Sulmi ka ndodhur nga forcat e afërta me regjimin sirian. Në anën tjetër, ministria e mbrojtjes turke, ka hedhur poshtë lajmet se Turqia mund të tërheq trupat nga Idlibi.
“Për të ndaluar gjakderdhjen dhe krizën humanitare dhe për të ofruar sigurinë e trupave si dhe kthimin e sigurt të civilëve në shtëpitë e tyre, të gjitha vendimet e marra sipas marrëveshjes së Moskës po zbatohen me kujdes maksimal”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Më tej thuhet se “Forcat e Armatosura Turke po vazhdojnë vendosjen e planifikuar dhe shpërndarjen e trupave në zonën e de-eskalimit në Idlib, në veriperëndim të Sirisë, në përputhje me armëpushimin e 6 marsit. Raportimet e disa mediave për tërheqjen e trupave tona nga rajoni nuk pasqyrojnë të vërtetën”.
Idlibi ndodhet brenda zonës së de-eskalimit që doli nga marrëveshja midis Turqisë dhe Rusisë në fund të vitit 2018. Regjimi sirian dhe aleatët e tij, megjithatë, kanë shkelur vazhdimisht marrëveshjen e armëpushimit, duke ndërmarrë sulme të shpeshta brenda zonës.
Siria është përfshirë në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011 kur regjimi i Asadit u përpoq të shtypë me dhunë të paparë protestat pro-demokracisë.