Rusia ka bërë të ditur se mbrëmë janë vrarë të paktën 40 të burgosur ukrainas të luftës dhe rreth 75 të tjerë janë plagosur në një sulm gjatë natës në një qendër paraburgimi në territorin ukrainas Donetsk të kontrolluar nga Rusia.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se shumica e të vrarëve u kapën në fabrikën e çelikut Azovstal në qytetin Mariupol, që u mor nën kontrollin e Rusisë pas disa javësh luftime dhe bllokade, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në njoftimin e ministrisë ruse thuhet se “sulmi ukrainas ishte një provokim i qëllimshëm i përgjakshëm” dhe një përpjekje për të frikësuar ushtarët ukrainas kundër dorëzimit”.
Në sulm po ashtu u plagosën tetë persona nga stafi. Sipas ministrisë ruse, sulmi është kryer me një raketë të lëshuar nga sistemet amerikane të artilerisë së lëvizshme me rreze të gjatë (HIMARS).
“Një numër i madh ushtarësh ukrainas ditët e fundit janë dorëzuar vullnetarisht për qëndrimin human të Rusisë ndaj të burgosurve të luftës”, tha ministria ruse.
Anton Gerashchenko, një këshilltar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, mohoi pretendimet.
“Të gjitha mediat ruse janë plot me pretendime se Ukraina kreu një sulm me raketë mbi burgun Elenovka afër Donetskut, ku ishin të burgosurit ukrainas, shumica nga Azovstal. Natyrisht, ushtria ukrainase kurrë nuk do të qëllonte një objekt të tillë. Është ose krejtësisht i rremë ose një krim i tmerrshëm rus”, shkroi Gerashchenko në Twitter./FolDrejt/