Një vajzë palestineze 16-vjeçe humbi jetën si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë të cilët kryen bastisje në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor nën pushtim.
Në një deklaratë nga Ministria palestineze e Shëndetësisë thuhet se ushtarët izraelitë kryen bastisje në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor, ku si pasojë e hapjes së zjarrit me plumba të vërtetë nga ushtarët izraelitë ka humbur jetën 16-vjeçarja Jana Majdi Issam Zakarna e cila u qëllua në kokë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se 3 të rinj që janë plagosur si pasojë e zjarrit të ushtarëve izraelitë në Jenin, janë vendosur nën trajtim në spitalin “Ibni Sina” në rajon.
Drejtori i Klubit për të Burgosurit Palestinezë në Jenin, Montaser Sammour njoftoi se ushtarët izraelitë arrestuan 3 persona në bastisjen që kryen në lagjen lindore të qytetit Jenin.
Sipas të dhënave që gazetari i AA-së ka siguruar nga burimet rajonale mësohet se forcat speciale izraelite kryen bastisje në qytetin Jenin për të arrestuar një të ri në kërkim. Gjatë bastisjes pati përleshje në lagjen Al-Bayader mes pushtuesve dhe palestinezëve të armatosur.
Në një deklaratë nga Unioni Jenin i lidhur me Saraya Al-Quds, krahun ushtarak të Lëvizjes Xhihadi Islamik, u theksua se kanë vendosur në objektiv ushtrinë izraelite dhe mjetet e tyre me armë dhe shpërthyes./FolDrejt/