Një person ka humbur jetën si pasojë e hapjes së zjarrit nga ushtarët në qytetin Nablus në Bregun Perëndimor nën pushtim.
Sipas një deklarate me shkrim nga Ministria palestineze e Shëndetësisë, 34-vjeçari Muhammed Hassan Assaf është qëlluar nga ushtarët izraelitë gjatë ngjarjeve të shënuara në qytetin Nablus mes ushtrisë izraelite dhe palestinezëve, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Njoftohet se palestinezi humbi jetën pasi u qëllua në kokë dhe në zonën e kraharorit.
Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, ngjarjet shpërthyen me ardhjen e ushtarëve izraelitë të cilët shoqëronin kolonët hebrenj që donin të kalonin në “Tyrben Jusuf” në qytetin Nablus.
Ndërsa në një deklaratë me shkrim nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, thuhet se në konfliktet e shënuara në afërsi të Tyrbes Jusuf në Nablus 10 persona janë plagosur me plumba të vërtetë, ndërsa 6 të tjerë me plumba gome.
“Tyrbja Jusuf”
“Tyrbja Jusuf” (Joseph‘s Tomb) e cila ndodhet në lindje të qytetit Nablus, konsiderohet si një vend i shenjtë nga hebrenjtë, të cilët besojnë se eshtrat e profetit Jusuf janë sjellë nga Egjipti dhe janë varrosur këtu.
Ndërsa ekspertët palestinezë për artefaktet historike, pretendojnë se tyrbja ka një të shkuar disa shekullore dhe se i përket një dijetari musliman të quajtur Yusef Al-Dwaik dhe jo profetit Jusuf.
Në 4 sulme të kryera në 3 javët e fundit në Izrael kanë humbur jetën 14 palestinezë. Ngjarjet e dhunshme në rajon u rritën pas bastisjeve të kryera nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor, ku gjatë këtij procesi kanë humbur jetën të paktën 20 palestinezë./FolDrejt/