Ministri i Shëndetësisë së provincës Odisha të Indisë, Naba Kishore Das, i cili u sulmua nga një polic në Indi, vdiq në spitalin ku u dërgua.
Sipas raportimeve në mediat indiane, ministri Das, i cili po shkonte për të marrë pjesë në program, u sulmua nga një polic teksa dilte nga automjeti i tij në rrethin Brajrajnagar të rajonit Jharsuguda në Odisha, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Das, i cili u qëllua në kraharorin e majtë nga afër dhe u plagos rëndë, u dërgua në spitalin Apollo në kryeqytetin e Odisha-s, Bhubaneswar.
Zyrtarët e spitalit Apollo njoftuan se 60-vjeçari Das ka ndërruar jetë pavarësisht ndërhyrjeve.
Nga ngjarja ka mbetur i plagosur një tjetër zyrtar policie me detyrë në vendin ku u qëllua Das.
Gopal Das, oficeri i policisë që kreu sulmin, u ndalua.
Familja e tij pretendoi se Gopal Das ishte i sëmurë mendor dhe ishte nën mjekim.
Arsyeja e sulmit ende nuk është bërë e ditur.
Nga ana tjetër, në Odisha është shpallur tri ditë zie.
Shumë politikanë, si dhe presidenti indian Droupadi Murmu dhe kryeministri Narendra Modi, u shprehën ngushëllimet e tyre familjes Das./FolDrejt/