Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha sot se nëse Ukraina do ta njihte pavarësinë e Kosovës, do t’i krijonte një problem më të madh vetes sesa Serbisë, sepse në atë rast nuk do të kishte kredibilitetin për të mbrojtur sovranitetin e shtetit të saj.
Ai tha për televizionin Prva se Serbia e konsideron Ukrainën një vend mik, i cili nuk e ka njohur Kosovën dhe që ka qenë gjithmonë i drejtë ndaj sovranitetit të Serbisë.
Duke komentuar letrën që 50 politikanë perëndimorë i kanë dërguar së fundi zyrtarëve të SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe me kërkesën që të trajtojnë më kritikë autoritetet në Beograd, Vuçeviq thotë se do të ketë edhe shumë letra të tilla dhe se e sheh si dëshmi se kinse Serbia është në rrugën e duhur dhe se presidenti Aleksandar Vuçiq udhëheq një politikë të mirë.