NGA ARBEN ÇEJKU
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, nuk mund të pranohet dhe të ulet përsëri në të njëjtën tryezë dialogu me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e goditi pas shpine me armët e forcave speciale dhe bandave të organizuara nga Beogradi zyrtar. Maska e Vuçiç si një politikan pro-perendimor që punon për paqen dhe dialogun (me Kosovën) u gris më 23 shtator në Zveçan dhe sot ai është politikani më i urryer në rajon e më gjerë. Ai u tregua i pabesë me të gjithë aktorët (SHBA, BE, NATO, Kosovë etj.), përfshi edhe forcat speciale që nisi në Kosovë, të cilave u kishte premtuar mbrojtjen e ushtrisë serbe të vendosur në kufi.
Ai doli lakuriq para të gjithëve, si një kufomë politike. Hipokrizia e Vuçiçit në sjelljen e tij ndaj Uashingtonit, shpjegohet me mbrojtjen që i ka bërë dhe i bën kreut të shërbimit sekret serb (BIA), Aleksander Vulin, i cili është në listën e zezë amerikane dhe “persona non grata” në Kroaci. Në vend që ta largonte Vulinin, i cili akuzohet për lidhjet e tij të fuqishme me Rusinë dhe grupet kriminale në veri të Kosovës, Vuçiç bekoi operacionet e tij speciale, siç ishte pengmarrja e tre policëve të Kosovës më 14 qershor apo sulmi kriminal më 23 shtator në Zveçan.
Hetimet që po zhvillohen në Prishtinë ndaj të arrestuarve, do të tregojnë më qartë rolin e Vulin dhe Vuçiç në këtë ngjarje.
Zhvillimet e fundit në Zveçan, treguan se refuzimi i Vuçiç për të firmosur Marrëveshjen me Kosovën në Bruksel dhe në Ohër, nuk ka qenë një kryeneçësi, por pjesë e planit djallëzor për të fituar kohë deri në finalizimin e operacionit ushtarak për pushtimin e veriut të Kosovës. Plani serb për krijimin e një realiteti të ri në veri të Kosovës, nëpërmjet përdorimit të operacioneve speciale, u dogj në oborrin e Manastirit ortodoks në Banjskë të Zveçanit. Platforma putiniste e pushtimit të veriut të Kosovës, siç bëri Rusia në Krime, mori fund falë mbështetjes që ka Kosova nga aleatët e saj të mëdhenj, të cilët monitoronin prej kohësh sjelljen absurde të Beogradit. Politikanë britanikë alarmuan botën për furnizimin me armë të veriut të Kosovës nga ana e Serbisë.
Sulmi terrorist i Serbisë në Zveçan nuk ishte një “incident”, siç duan ta paraqesin disa burokratë në Bruksel, por ishte një inkursion i mirëfilltë ushtarak kundër një shteti të njohur nga mazhoranca e vendeve demokratike (BE dhe NATO). Fundja, vetë Vuçiç nuk po e trajton si “incident”, por si një “betejë për të mbrojtur serbët në veri të Kosovës nga terrori i Kurtit”. Madje, me argatët e tij të propagandës ai po synon ta paraqesë atë që ndodhi në Kosovë si fillimin e një beteje të madhe për “shpëtimin e serbëve”. Kjo do të thotë që Kosova dhe miqtë e saj, duhet të jenë vigjilentë në Kosovë dhe përreth saj.
Nëse Presidenti serb, Vuçiq, do t’i kërkonte falje Kosovës dhe do të shpallte distancim të qartë kundrejt grupit terrorist që sulmoi në Zveçan e, për më tepër, nëse në takim me ambasadorët e Quintit në Beograd do të kërkonte hetim të pavarur ndërkombëtar, atëherë ngjarja edhe mund të konsiderohej si “incident”. Nxitimi i tij për të hyrë nën sqetullën e ambasadorit rus në Beograd, nuk ishte rastësi, por hap strategjik që tregon rrugën që ka marrë së fundi lidershipi serb. Pabesia e veprimeve të tij nuk ka goditur Kosovën (e cila nuk ka pasur iluzione) aq sa ka dërrmuar besimin që kishin tek ai Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill dhe ndërmjetësit europian, Lajçak e Borrell.
Që prej 23 shtatorit, Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, i ka duart me gjak, me gjakun e dëshmorit të Kosovës, Afrim Bunjaku. Ai vrau dialogun me Kosovën. Kjo datë do të shënojë edhe fillimin e fundit të tij politik, sepse mashtrimet dhe manipulimet propogandistike që i bën audiencës serbe, nuk do t’i pinë më ujë. SHBA dhe BE nuk do ta konsiderojnë më si partner dhe e vetmja fije që e mbante në pushtet ishte roli i tij në dialogun me Kosovën, prandaj iu toleruan shkeljet demokratike. Izolimi i tij politik është i pashmangshëm, ndërkohë që opozita në Serbi po artikulohet qartë kundër tij si luftënxitës.
Borrel dhe Lajçak kanë dështuar prej kohësh, por veprimet e fundit të Beogradit treguan se ato u përdorën si aktorë për të mbajtur në skenë Vuçiqin deri në momentin kur në veri të Kosovës, të krijohej një realitet tjetër i favorshëm për Serbinë. Dorëheqja e tyre do t’i shpëtonte, ndërkohë që Kosova nuk ka pse u jep më besim dhe t’i presë në institucionet e saj, aq më tepër nëse vijnë me fjalët e Vuçiq. Nëse ata pretendojnë se i ka prerë në besë miku i tyre Vuçiq, atëherë le ta thonë, në të kundërt, del që kanë qenë pjesë e skenarit antishqiptar.
BE, SHBA dhe Britania e Madhe duhet që sa më parë të hartojnë një plan të ri të qasjes së tyre ndaj sigurisë në Ballkanin Perendimor, duke marrë në konsideratë faktin se Serbia është nën ndikimin e plotë rus dhe nuk mund të ketë iluzione për sjellje ndryshe të Vuçiç, i cili e sheh vitin 2024 si vit elektoral në BE dhe SHBA dhe vit për të blerë kohë në raport me Kosovën. NATO duhet të shtojë trupat e saj dhe elementët e tjerë të sigurisë duhen përforcuar, ndërkohë që krehja e zonës së sigurisë duhet bërë e plotë në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës, sipas së cilës trupat serbe duhet të qëndrojnë disa kilometra larg kufirit me Kosovën dhe jo të jenë aktiv brenda kufirit, siç ka ndodhur deri tani.
Brukseli dhe Uashingtoni duhet të mendojnë seriozisht për zëvendësimin e personave që deri tani kanë pasur kredenciale për të biseduar me Kurtin e Vuçiçin, për shkak se nuk kanë kredibilitet dhe besueshmëri të mjaftueshme. Ata treguan pafuqi për të detyruar palët të nënshkruajnë dhe të nisin nga zbatimi i marrëveshjeve të dakordësuara. Për më tepër, ata nuk kanë më asnjë mundësi të rikthejnë palët në dialog, i cili sot është në udhëkryq.
Për të rikthyer Serbinë e Kosovën në dialog, duhet hartuar një strategji e re e koordinuar mes SHBA–së dhe BE-së duke llogaritur që Vuçiq është kartë e djegur. Ushtrimi i presionit vetëm mbi Kosovën, nuk ka dhënë asnjë rezultat, sepse është sjellje e padrejtë dhe e padenjë. Kosova e ka pranuar Marrëveshjen e Brukselit dhe mund ta avancojë atë në koordinim me BE e SHBA, por në çdo rast, Serbia nuk do kënaqet. Sulmi në Zveçan tregoi se Beogradi zyrtar nuk kërkon “Asosacionin e Komunave Serbe” në veri të Kosovës, por synon aneksimin e veriut të Kosovës, në emër të “mbrojtjes së serbëve”.
Ky do të ishte momenti më i mirë që 5 vendet e BE, të cilat nuk e njohin Kosovën, të bëjnë një hap përpara duke e pranuar atë në emër të ruajtjes së paqes dhe largimin e influencës ruse nga rajoni ynë.