Presideti i Serbisë Aleksandër Vuçiq bashkë me Kryeministren Ana Bërnabiq kanë shfrytëzuar rastin që në ditën e zgjedhjeve të parakohshme lokale në komunat veriore në Kosovë, të lëshojnë deklarata provokuese, shkruan Fol Drejt.
Përderisa Vuçiq ka thënë se vetëm një numër simbolik i janë përgjigjur thirrjes për të votuar, Bërnabiq ka thënë se zgjedhjet në Kosovë po mbahen nën mbikëqyrjen e rrebtë të forcave të sigurisë, nën geto.
“Ata synojnë të vendosin qeverinë e njerëzve që nuk mund të marrin as një ose dy për qind të votave, që nuk jetojnë në veri të Kosovës. Për të gjitha këto na kërkuan miratimin dhe pëlqimin tonë dhe me krenari duhet t’ju them se deri në këtë moment kanë dalë vetëm pak serbë, nuk e ekzagjeroj, vetëm disa serbë në të katër komunat së bashku”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Serbët, sipas tij, do t’iu shërbejnë vetëm interesave të tyre dhe nuk do t’iu përgjigjen askujt.
Ndërkaq Bërnabiq ka kritikuar bashkësinë ndërkombëtare e cila, sipas saj, po i legjitimon këto zgjedhje nën masa të rrebta të sigurisë.
“Kjo është dita kur geto e fundit evropiane legalizohet dhe legjitimohet. Këto janë imazhet që me të vërtetë përshkruajnë “sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike” në Kosovë të mbështetura nga BE-ja dhe QUINT”, ka shkruar Bërnabiq në Twitter.
“Kushtojini vëmendje OSBE dhe sigurohuni që t’ua rekomandoni këtë të tjerëve si shembullin më të mirë: Mbajtjen e zgjedhjeve në kontejnerë të përkohshëm nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të forcave të armatosura. Zgjedhjet – të lira dhe të ndershme, me forca të armatosura dhe mjete të blinduara! Kjo është Evropa, në shekullin e 21-të”, ka vijuar ajo.
Ajo madje ka thënë se BE-ja e ShBA-të nuk kanë planifikuar kurrë ta zbatonin Marrëveshjen e Brukselit./FolDrejt/