Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi sot se është i bindur se do të jetë i mundur avancim i madh në marrëdhëniet Serbi-Mali i Zi, ndërsa kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se Vuçiq i kishte kërkuar ministrit të policisë Aleksandar Vulin që të zgjidhte çështjen e mbajtjes së qytetarëve malazezë në kufi.
Vuçiq në adresën e transmetuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, ka theksuar se i duket se me Abazoviqin në një mënyrë konkrete kanë arritur të zgjidhin çështjet e mëdha politike që ndanë dy vendet, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Vuçiq theksoi se vizita e Abazoviqit në Beograd është “vetëm fillimi i një bashkëpunimi shumë të suksesshëm” dhe se ai beson se mund të jetë edhe më mirë.
Ai shtoi se me Abazoviqin ka biseduar për marrëdhëniet dypalëshe politike, bashkëpunimin ekonomik, bujqësinë, furnizimin me ushqim dhe balancat energjetike dhe se si të dy vendet mund të ndihmojnë njëri-tjetrin në vjeshtë dhe dimrin e ardhshëm.
Abazoviq tha se më së shumti në takim është biseduar për bashkëpunimin rajonal dhe bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës.
Ai ka theksuar se Vuçiq dhe ai kanë ardhur në një zgjidhje konkrete për një çështje të rëndësishme për deputetët malazezë, duke shtuar se Vuçiq ka telefonuar ministrin e policisë, Aleksandar Vulin, dhe ka kërkuar që të ndalojë praktikën e mbajtjes së shtetasve malazezë në kufi.
Abazoviq deklaroi se nga 1 korriku, qytetarët malazezë, duke përfshirë politikanë dhe deputetë, do të vijnë në Beograd pa kufizime./FolDrejt/