Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohet sot me ambasadorin rus, Alexander Botsan-Kharchenko.
Sipas zyrës për media të Vuçiqit takimi mbahet në orën 10:00 në presidencën serbe.
Takimi Vuçiq-Kharchenko do të ndodhë një ditë pasiqë dështoi vizita e kryediplomatit rus në Beograd, Sergei Lavrov.
Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, ndaluan fluturimin e avionit me të cilin ishte paraparë të udhëtonte shefi i diplomacisë ruse në hapësirat e tyre ajrore.
Lavrov kishte bërë plan që ta vizitonte Serbinë sot dhe nesër, teksa ishin planifikuar takime me Aleksandar Vuçiqin dhe ministrin serb, Nikola Selakoviq.
Lidhur me këtë çështje, kryetari i shtetit serb pritet që në orën 20.30 të bëjë adresim për media në televizionin shtetëror serb, duke iu drejtuar edhe kombit të tij, lidhur me zhvillimet.
Mediave pritet t’i drejtohet nga Moska nga ora 12:00 edhe protagonisti i këtyre zhvillimeve, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Kujtojmë që gazetari i Klan Kosovës, Besnik Tahiri, ditë më parë në Rubikon me Adriatik Kelmendin, raportoi se vizita e ministrit rus, Sergei Lavrov, po përcillet me telashe, dhe se arritja e tij në Beograd mbetet dilemë për shkak të vendimeve për ndalesa të fluturimeve të disa shteteve. /FolDrejt/