Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili u takua sot në Beograd me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ai dëshiron të besojë se pjesa e bashkësisë ndërkombëtare që ka ndikimin më të madh në Prishtinë, ka mekanizma që mund të çojnë në realizimin përfundimtar të obligimeve që Prishtina ka pranuar dhe nënshkruar më shumë se një dekadë më parë.
“Thashë se është koha që Prishtina përfundimisht t’i përmbushë obligimet e saj dhe mbi të gjitha formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”, ka shkruar Vuçiq në një postim në llogarinë në Instagram.